Trajneri i Liverpool flet për infektimin e Mo Salahit me COVID-19: Dasma e vëllait është diçka speciale

Trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp foli për mungesën e Mohamed Salah, i cili doli pozitiv me COVID-19 pasi mori pjesë në dasmën e vëllait të tij në Egjipt.

Gjermani ka thënë se janë disa festa ku njeriu nuk mund t’i humb dhe e tillë është dasma e vëllait.

“Këtë verë isha në Gjermani dhe isha i ftuar në ditëlindjen e një shoku, por unë vendosa të heq dorë”.

“Megjithatë, ka situata, në vende të tjera , ku ka më shumë presion shoqëror ndaj jush dhe martesa e vëllait është një moment shumë i veçantë”, ka thënë Klopp.

Ai siguroi të gjithë që Salah është mirë dhe do të kthehet në Liverpool sot (e premte).

“Ajo që mund të them për lojtarët e mi është se ata janë tepër të disiplinuar”.

“Salah është mirë gjithsesi, ai nuk ka asnjë simptomë dhe duhet të kthehet sot. Ne biseduam me njëri-tjetrin por nuk kam asgjë për të thënë për gjërat që kanë ndodhur. Unë diskutoj me lojtarët e mi”, ka thënë Klopp.

Liverpooli është me probleme të mëdha në mbrojtje, pasi shumë lojtarë janë të dëmtuar, por Klopp thotë se për sa t’i ketë 11 lojtarë që mund të luajnë, ai do të futet në fushë për tri pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *