Gjykata turke shqiptoi dhjetëra dënime me burg të përjetshëm për tentimin për grusht shtet

Gjykata turke sot shqiptoi dhjetëra dënime me burg të përjetshëm për disa prej gjithsej 500 personave të përfshirë edhe disa komandantë ushtarakë dhe pilotë, të akuzuar për pjesëmarrje në tentimin për grusht shtet në vitin 2016 nga baza ajrore në afërsi të Ankarasë, njoftoi agjencia turke e lajmeve Anadolia.

Agjencia dhe mediat tjera turke njoftuan se 25 pilotë janë dënuar me burg të përjetshëm, kurse katër civilë janë dënuar me 79 dënime me burg të përjetshëm.

Ish komandanti i forcave ajrore Akin Ozturk dhe të tjerët nga një bazë ajrore pranë Ankarasë janë akuzuar për puçin dhe bombardimin e institucioneve qeveritare, përfshirë ndërtesën e parlamentit, në tentim të atentatit ndaj presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Ankaraja fajëson mbështetësit e Fetullah Gjulenit, i cili aktualisht po jeton në ekzil të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara, për përpjekjen e grushtit të shtetit. Gjuleni, 79 vjeç, ish-aleat i Erdogan, ka mohuar përfshirjen në përpjekjen për grusht shteti.

Ai dhe pesë persona të tjerë gjykohen në mungesë.

Për pjesëmarrje në tentimin për grusht shtet akuzohen 475 persona, ndërsa 365 janë në paraburgim.

Në tentimin për puç më 15 korrik të vitit 2016 janë vrarë më shumë se 250 persona. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *